Një valë e paprecedentë dhune ka përfshirë Meksikën pas vrasjes së baronit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, gjatë një operacioni ushtarak në shtetin e Jalisco.
Sipas Ministrisë meksikane të Mbrojtjes, lideri i kartelit Jalisco New Generation Cartel (CJNG) u plagos rëndë gjatë një operacioni për kapjen e tij në qytetin Tapalpa dhe më pas ndërroi jetë. Gjatë përplasjes së armatosur u vranë katër anëtarë të kartelit, ndërsa tre ushtarakë mbetën të plagosur.
Ekzekutimi i një prej figurave më të fuqishme të botës së krimit në vend ndezi menjëherë reagimin e strukturave të CJNG-së. Në të paktën një duzinë shtetesh shpërthyen akte të dhunshme: rrugë të bllokuara me automjete të djegura, sulme ndaj objekteve publike dhe private, si dhe përplasje të armatosura me forcat e rendit. Vetëm në Jalisco u regjistruan dhjetëra postblloqe, ndërsa incidente serioze u raportuan edhe në zona të tjera.
Në Guadalajara, dëshmitarët folën për persona të armatosur që lëviznin hapur në rrugë dhe për re të dendura tymi që mbulonin lagje të tëra. Ndërkohë, turistë në Puerto Vallarta e përshkruan situatën si një “zonë lufte”, me tension dhe pasiguri të përhapur.
Guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus Navarro, shpalli kodin e kuq, duke pezulluar transportin publik, aktivitetet masive dhe procesin mësimor me prezencë fizike, në përpjekje për të frenuar përshkallëzimin e dhunës.
Sipas kabinetit të sigurisë, gjatë trazirave u ngritën rreth 250 postblloqe në shkallë kombëtare dhe u arrestuan 25 persona, të dyshuar për përfshirje në dhunë, plaçkitje dhe grabitje. Rreth 20 degë bankash u sulmuan, ndërsa disa dyqane u përfshinë nga flakët, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale dhe një klimë të thellë pasigurie në vend.