Irani ka rënë dakord për një marrëveshje sekrete armësh me Rusinë me vlerë rreth 500 milionë euro, për blerjen e mijëra raketave moderne të lëvizshme, raporton Financial Times.
Sipas dokumenteve të rrjedhura ruse dhe burimeve të njohura me çështjen, marrëveshja është firmosur në Moskë në muajin dhjetor dhe parashikon furnizimin e Iranit me 500 njësi lëshuese “Verba” dhe 2,500 raketa të tipit “9M336”, brenda një periudhe trevjeçare.
Marrëveshja thuhet se është negociuar mes eksportuesit shtetëror rus të armëve Rosoboronexport dhe përfaqësuesve në Moskë të Ministrisë iraniane të Mbrojtjes.
Dorëzimet janë planifikuar të ndahen në tre faza, nga viti 2027 deri në 2029.
Lajmi vjen në një moment tensionesh të larta rajonale. Në qershor të vitit të kaluar, forcat amerikane ndërmorën sulme ajrore ndaj tre objekteve kryesore bërthamore të Iranit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ato ishin shkatërruar. Megjithatë, një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane sugjeronte se kapacitetet bërthamore të Iranit ishin vetëm vonuar për disa muaj.
Zyrtarët iranianë kanë deklaruar vazhdimisht se vendi është rikuperuar nga dëmet dhe se kapacitetet e tij janë më të forta se më parë.
Rusia dhe Irani kanë një traktat partneriteti strategjik, por që nuk përfshin klauzolë të mbrojtjes së ndërsjellë. Së fundmi, një anije luftarake ruse zhvilloi manovra të përbashkëta me marinën iraniane në Gjirin e Omanit.