Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, është vrarë gjatë një operacioni ushtarak në shtetin Jalisco, raportojnë mediat lokale dhe agjencia Reuters.
“El Mencho” ishte lideri i kartelit të frikshëm Jalisco New Generation Cartel (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë, me shtrirje pothuajse në të gjithë vendin dhe me ndikim edhe në trafikun drejt SHBA-ve.
Sipas ministrisë meksikane të Mbrojtjes, ai humbi jetën nga plagët e marra gjatë operacionit, teksa po transportohej me helikopter drejt spitalit. Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Pas lajmit për vdekjen e tij, në disa zona të Jalisco-s dhe shtete të tjera u raportuan djegie automjetesh, bllokime rrugësh dhe prezencë e personave të armatosur. Guvernatorët lokalë u bënë thirrje qytetarëve të qëndronin në shtëpi, ndërsa autoritetet shpallën gjendje alarmi.
Shtetet e Bashkuara kishin ofruar më parë një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në kapjen e tij. Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi gjithashtu paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë në disa shtete të Meksikës.
CJNG u ngrit në pak vite si një rival i fortë i kartelit të Sinaloas, dikur i drejtuar nga Joaquin “El Chapo” Guzman.
Autoritetet meksikane nuk kanë dhënë ende një deklaratë të plotë zyrtare mbi operacionin, ndërsa situata në disa rajone vijon të jetë e tensionuar.