Hyri i armatosur në rezidencën e Trump, i riu qëllohet për vdekje nga Shërbimi Sekret

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.02.2026, 17:48

Një person i armatosur është qëlluar për vdekje pasi hyri në perimetrin e sigurisë së rezidencës së presidentit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago, në Florida.

Sipas deklaratës së United States Secret Service, ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 me orën lokale, ndërsa Trump ndodhej në Uashington DC.

Autoritetet bëjnë me dije se i riu, i bardhë dhe rreth të 20-ave, po mbante me vete një armë gjahu (shotgun) dhe një bidon me karburant kur u pikas pranë portës veriore të kompleksit në Mar-a-Lago.

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, deklaroi se personi po hynte në mënyrë të paligjshme në zonën e siguruar. Sipas sherifit të Palm Beach, Ric Bradshaw, efektivët i kërkuan të hidhte në tokë armën dhe bidonin me benzinë.

“E vetmja gjë që i thamë ishte ‘lësho sendet’, që do të thotë bidonin dhe armën,” tha Bradshaw. Sipas tij, i dyshuari fillimisht la bidonin, por më pas ngriti armën në pozicion qitjeje, moment në të cilin agjentët hapën zjarr për të “neutralizuar kërcënimin”.

Autoritetet konfirmuan se asnjë efektiv nuk mbeti i plagosur dhe se policët mbanin kamera trupore. Ende nuk dihet nëse arma ishte e mbushur me fishekë. Hetimet do të kryhen me asistencën e FBI.

Siguria në Mar-a-Lago konsiderohet tepër e lartë, me dy unaza kontrolli, një nga sherifët lokalë dhe një nga Shërbimi Sekret. Çdo vizitor kontrollohet, ndërsa automjetet dhe çantat verifikohen me qen nuhatës dhe detektorë metali.

Trump ka qenë disa herë objekt i planeve apo tentativave për atentat. Në korrik 2024, ai u plagos në vesh gjatë një mitingu në Butler, Pensilvani, ndërsa disa muaj më vonë një tjetër person u arrestua pasi u kap me armë pranë klubit të tij të golfit në West Palm Beach.

Hetimet për ngjarjen e fundit vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit