Është gjetur në mesditë trupi i pajetë i 20-vjeçarit me origjinë shqiptare, Riccardo Merkuri, i cili një ditë më parë ishte hedhur në ujërat e portit të Civitanova Marche, Itali.
Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se është hedhur vullnetarisht në det, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, duke e goditur me grushte në fytyrë. Pas ngjarjes, ai ishte larguar nga banesa me automjetin e tij tip “Mercedes”, duke lënë telefonin celular në shtëpi, në Pollenza, dhe ishte nisur drejt Civitanova Marche. Që nga mbrëmja e së premtes, familjarët kishin humbur çdo kontakt me të. Automjeti i tij u gjet i parkuar pranë hyrjes së portit.
Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë filmuar fillimisht në zonën e portit dhe më pas në momentin kur hidhej në ujë. Në një tjetër regjistrim ai shihet duke dalë sërish në sipërfaqe dhe duke u hedhur përsëri, pa u rishfaqur më.
Operacioni i kërkimit nisi menjëherë, me përfshirjen e zjarrfikësve, polumbarëve, Gardës Bregdetare dhe karabinierëve. Për shkak të errësirës, kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e djeshme dhe rifilluan në orët e para të mëngjesit me ndihmën e dronëve, derisa trupi u gjet në zonën ujore përballë portit.
Ndërkohë, nëna e tij, 53 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë nga dhuna e ushtruar. Ajo u gjet e shtrirë në banesë dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Maceratës, ku ndodhet nën kujdes intensiv. Sipas burimeve mjekësore, gjendja e saj është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Familja, me origjinë shqiptare, jeton prej më shumë se dy dekadash në Itali dhe njihet në komunitetin lokal të Pollenzës. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.