20-vjetori i grabitjes më të madhe në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, e kryer nga dy shqiptarë, Jetmir Buçpapa dhe Ermir Hysenaj, të cilët vodhën 53 milionë paund nga depoja e Securitas në Tonbridge. Grabitja e vitit 2006 përfshinte rrëmbimin e menaxherit të objektit së bashku me gruan dhe fëmijën e tij, ndërsa 14 punonjës të tjerë u mbajtën në kafaze nën kërcënimin e armëve. Banda u largua me një kamion të ngarkuar me gjysmë ton parash, kryesisht në kartëmonedha 10 dhe 20 paund, drejt fermës Elderden pranë Staplehurst në Kent.
Buçpapa, 46 vjeç, u dënua me 30 vite burg dhe kaloi vite në burgun Belmarsh, përpara se të deportohej në Shqipëri në vitin 2020. Sipas mediave britanike, ai tashmë po jeton një jetë luksoze dhe ka një marrëdhënie me vajzën e një biznesmeni të pasur shqiptar, pas ndarjes nga bashkëshortja Besiana Dunisha, me të cilën ka dy fëmijë. Ndërkohë, shumë nga paratë e grabitura, rreth 32 milionë paund, nuk janë gjetur, dhe dyshohet se mund të jenë transferuar në Qipro dhe Marok.
Nga paratë e rikuperuara, rreth 9 milion paund u gjetën në një kontejner në Welling, 8 milionë në një magazinë pranë shtëpisë së Lea Rusha në Southborough, dhe 25 milion paund u kthyen tek Banka e Anglisë nga Securitas. Megjithatë, miliona paund mbeten të zhdukur, ndërsa Buçpapa shijon lirinë dhe duket se ka rikthyer stilin e jetës luksoze, duke bërë që grabitja e vitit 2006 të mbetet një nga rastet më të famshme kriminale të dekadës.