Policia ka njoftuar arrestimin e Prek Mollës, 60 vjeç, banor i fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë, si dhe shpalljen në kërkim të pesë personave të tjerë, pas një përplasjeje të ndodhur në zonën ku po kryhen punimet për ndërtimin e një resorti nga kompania Gener 2.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit akuzohen se kanë goditur një punonjës të firmës dhe kanë kërcënuar një efektive policie, si dhe kanë dëmtuar mjete pune duke u thyer xhamat e një ekskavatori dhe një automjeti foristradë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rrjollë, ku prej javësh banorët po kundërshtojnë projektin e ndërtimit të resortit të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj. Banorët pretendojnë se po mbrojnë pronat dhe mjedisin e zonës, ndërsa shprehen se reagimi i tyre ka ardhur si pasojë e mungesës së dialogut dhe transparencës nga autoritetet dhe kompania ndërtuese.
Megjithatë, prej disa ditësh, Policia e Shtetit po ushtron dhunë ndaj banorëve protestues në Rrjoll, duke përdorur forcë për shpërndarjen e tyre, duke shtyrë dhe kërcënuar disa prej tyre, dhe duke shoqëruar protestues gjatë ndërhyrjeve. Banorët denoncojnë se ndërhyrjet e policisë janë të njëanshme dhe shërbejnë për të frikësuar komunitetin, ndërsa protesta ka qenë paqësore dhe e fokusuar në mbrojtjen e pronave dhe mjedisit. Tensionet në zonë mbeten të larta, ndërsa përplasja mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese vazhdon të jetë e ndezur. Banorët paralajmërojnë se qëndresa e tyre nuk do të ndalet