Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 22.02.2026, 11:56
Situata në Rrjoll të Velipojës është përshkallëzuar sërish këtë të diel, ku banorët janë përplasur me forcat e policisë gjatë protestës kundër ndërhyrjeve në zonë, të lidhura me projektin e një resorti turistik që i atribuohet biznesmenit Bashkim Ulaj.
Sipas raportimeve nga terreni, policia ka ndërhyrë e pajisur me helmeta, maska mbrojtëse, mburoja, ndërsa banorët kanë vijuar tubimin në kundërshtim të punimeve që po zhvillohen në zonë. Gjatë përplasjeve, një person ka mbetur i lënduar dhe është transportuar drejt urgjencës së Spitalit Rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Pamjet e publikuara tregojnë momente tensioni mes uniformave blu dhe protestuesve. Në një nga videot dëgjohet një grua që thërret: “Hiqi duart, jam shtatzënë!”, ndërsa shtyhet mes turmës. Sipas banorëve, ka pasur edhe shoqërime në polici.
Protestës i janë bashkuar burra, gra dhe të moshuar. Një prej banoreve është shprehur: “Kam burrin e paralizuar në shtëpi dhe dola të kërkoj të drejtën time. Jemi të varfër dhe vjen i pamunduri të na e marrë tokën”.
Banorët kundërshtojnë projektin turistik, duke pretenduar se ndërtimi po zhvillohet në toka që i konsiderojnë prona të trashëguara ndër breza. Ata kërkojnë ndërhyrje të institucioneve për verifikimin e dokumentacionit dhe garantimin e së drejtës për të protestuar paqësisht.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim të detajuar zyrtar nga Policia e Shtetit mbi incidentet e raportuara. Situata në zonë mbetet e tensionuar.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR