Toka publike pranë fermës së dikurshme Zorro Ranch, pronë e ish-financierit Jeffrey Epstein, është vënë nën hetim penal pas publikimit të një email-i që pretendon se dy vajza të huaja janë vrarë dhe varrosur në zonë. Sipas raportimit të Reuters, mesazhi i klasifikuar më parë sugjeron se viktimat kishin humbur jetën nga mbytja gjatë akteve të dhunshme seksuale dhe se trupat e tyre ishin varrosur “në kodrat jashtë Zorro-s”.
Emaili, i dërguar në vitin 2019 prezantuesit të radios në New Mexico, Eddy Aragon, pretendohet të jetë shkruar nga një ish-punonjës i fermës. Aragon deklaroi se ia përcolli informacionin Federal Bureau of Investigation (FBI), ndërsa një raport i vitit 2021 përmend se autoritetet u njoftuan për ekzistencën e shtatë videove të dyshuara abuzimi dhe koordinatave të varrimit, të ofruara në këmbim të një pagese në bitcoin.
Pas publikimit të mbi 3.5 milionë faqeve materiale të lidhura me çështjen Epstein, New Mexico Department of Justice njoftoi rihapjen e hetimit penal të mbyllur në vitin 2019. Autoritetet thanë se do të shqyrtojnë çdo provë të mbetur dhe do të ndjekin faktet “kudo që të çojnë ato”, duke marrë parasysh çështjet e juridiksionit. Epstein, i arrestuar në vitin 2019 për trafikim qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim seksual, vdiq në burg përpara se të përballej me gjyqin.