Më 22 shkurt 2023 ngritëm pyetjen,“Erseka është shumë larg për SPAK-un?” Sot, më 22 shkurt 2026, ajo pyetje tingëllon më aktuale se kurrë. Në aksin Korçë–Ersekë, për vetëm 4.15 kilometra rrugë, u akorduan rreth 24 miliard lekë pa TVSH afro 98% e fondit limit. Me një përllogaritje të thjeshtë, kostoja shkon në rreth 5.7 miliard lekë për kilometër. Një shifër marramendëse për një segment që, sipas qytetarëve, jo vetëm që ka kosto të fryra, por ka ngritur edhe një digë që ndan mes për mes një zonë të banuar, duke prekur peizazhin, florën, faunën dhe jetesën e komunitetit.
Fitues i tenderit është shpallur kompania “ANK” shpk, me drejtues Ndue Kolën, përmes ARRSH-së së drejtuar në atë kohë nga Ergys Verdhon. Kola, ish-deputet i PS dhe nip i biznesmenit Rrok Gjoka, rezulton gjithashtu përfitues në koncesionin e shumëdiskutuar Milot–Balldren, me vlerë 21 milionë euro. Në atë procedurë morën pjesë edhe “Gjoka Konstruksion” e Rrok Gjokës dhe “4AM” e Bashkim Ulajt, në një garë që u kritikua për dokumente të mangëta dhe kosto të fryra. Rastësi? Apo një skemë ku fondet publike rrotullohen brenda të njëjtit rreth emrash?
Tre vite më pas, shifrat mbeten po aty, kontratat po aty, rruga po aty ndërsa përgjegjësia duket e zhdukur. Ndërkohë që SPAK ka treguar zell për çështje më të vogla, dosjet me miliarda lekë që prekin taksat e qytetarëve duken të “paarritshme”. A është vërtet Erseka shumë larg për SPAK-un, apo shumë afër pushtetit? Dhe mbi të gjitha, kur do të veprojë SPAK?