Ligj i ri, Rusia ç’aktivizon internetin në gjithë vendin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.02.2026, 07:25

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj të ri që u jep shërbimeve të sigurisë kompetenca të gjera për të mbyllur internetin brenda Rusisë, përfshirë edhe territoret e pushtuara të Ukrainës. Sipas masave të reja, ofruesit e internetit do të detyrohen të ndërpresin aksesin në web me urdhër të autoriteteve dhe do të mbrohen nga përgjegjësia ligjore për pasoja të tilla.

E përditshmja britanike The Telegraph shkruan se ligji i lejon Putinit të vendosë personalisht kur komunikimet online duhet të çaktivizohen, qoftë në nivel kombëtar apo në rajone të caktuara, pa qenë i detyruar të japë shpjegime publike. Projektligji ishte prezantuar në fund të vitit të kaluar me argumentin se synon mbrojtjen e qytetarëve dhe të shtetit nga kërcënimet e sigurisë, si dhe garantimin e mbrojtjes ligjore për kompanitë e telekomunikacionit.

Zëvendësministri rus i zhvillimit dixhital, Ivan Lebedev, ka deklaruar se formulimi i ligjit do të mbetet qëllimisht i paqartë mbi shërbimet që mund të ndërpriten, për të “ngatërruar armiqtë” e Rusisë. Ndërprerjet e internetit celular janë bërë të zakonshme në disa rajone, ku autoritetet pretendojnë se ato ndihmojnë në parandalimin e sulmeve me dronë, të cilët mund të përdorin sinjalet e të dhënave për navigim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit