“Vdekja” e Korridorit Juglindor: Nga premtimi 90-minutësh, te rrugët që “gëlltisin” veten

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.02.2026, 18:40

Ajo që propagandohej si arritja e madhe e infrastrukturës shqiptare, ku distanca mes Tiranës dhe Korçës do të përshkohej për vetëm 1 orë e gjysmë, është kthyer sot në një makth kombëtar dhe në dëshminë më të pastër të rënies së shtetit përballë babëzisë. Sot, aksi kryesor që lidh kryeqytetin me juglindjen përmes Librazhdit nuk ekziston më – ai është i mbyllur, i gjymtuar dhe i dorëzuar përpara punimeve skandaloze.

Situata në terren i ngjan një zone lufte dhe jo një kantieri modern. Nga ana tjetër projekti i shumëpërfolur Qukës-Qafë Plloçë, që supozohej të ishte shpëtimi i udhëtarëve, sot numëron të paktën 7 pika kritike ku asfalte e dhera shemben pa pushim. Kjo rrugë, e mbetur në mes të rrugës prej vitesh, sot guxohet të shkelet vetëm nga "shoferë aventurierë" që sfidojnë fatin, ndërkohë që ndërhyrjet e ashtuquajtura për "Korridorin e NATO-s" po shkatërrojnë edhe ato pak pjesë të rrugës ekzistuese që kishin mbetur në këmbë.

Ironia arrin kulmin me udhëzimet e fundit për transportin e rëndë. Për të mbërritur në Tiranë, kamionët e mallrave janë të detyruar të ndjekin një itinerar absurd: Qafë Thanë – Shkup – Prishtinë – Kukës – Tiranë. Një rrugëtim që dikur bëhej për 3 orë, tashmë zgjat mbi 12 orë, duke e kthyer Shqipërinë në një ishull të izoluar brenda vetvetes.

Kjo nuk është më thjesht çështje paaftësie apo korrupsioni të rëndomtë me tendera. Kjo që po ndodh me projektet nën drejtimin e ministrisë së Belinda Ballukut ngjan me një kontroll total të shtetit nga oligarkia, ku paratë publike treten në rrugë që shemben ende pa u përuruar.

Nuk kemi të bëjmë vetëm me asfalt të çarë, por me një sistem institucional që ka rënë në tokë, duke sakrifikuar sigurinë e qytetarëve dhe ekonominë e një rajoni të tërë për interesa që nuk kanë asnjë lidhje me interesin publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit