Juglindja drejt izolimit total: Pas bllokimit të Librazhd-Pogradec, rrezikohet dhe rruga alternative

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.02.2026, 17:58

Situata në juglindje të vendit po shkon drejt një emergjence të vërtetë rrugore, duke kërcënuar izolimin e plotë të këtij rajoni nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Pas rrëshqitjes masive të dherave dhe çarjes së thellë në trupin e rrugës që paralizoi plotësisht aksin kryesor Librazhd-Pogradec, shpresa e fundit e drejtuesve të mjeteve, rruga alternative Maliq–Moglicë–Gramsh, po shfaq shenja serioze rreziku.

Edhe pse ky segment u hap si një zgjidhje e përkohshme për të mbajtur gjallë qarkullimin drejt juglindjes, gjendja në rrugën Moglicë–Gramsh paraqitet tejet shqetësuese. Gjatë orëve të fundit janë evidentuar rrëshqitje të vazhdueshme gurësh dhe dherash nga shpatet e maleve, duke krijuar pasiguri ekstreme për mjetet që tentojnë të kalojnë nga Korça në drejtim të Gramshit. Drejtuesit e automjeteve, të gjendur në kurth, raportojnë vështirësi të mëdha në kalim dhe frikë për jetën e tyre për shkak të rënies së papritur të masiveve shkëmbore në rrugë.

Nëse kjo situatë vijon të përkeqësohet dhe moti nuk premton përmirësim, ekziston rreziku real që juglindja e vendit të mbetet nën një izolim total, duke ndërprerë furnizimet dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi ditën e sotme se ekipet e emergjencës janë në terren dhe po punohet me intensitet për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor, si e vetmja mënyrë për të shmangur bllokimin përfundimtar të këtij rajoni jetik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit