Një sherr banal për centimetrat e rrugës ka përfunduar në një tragjedi të përgjakshme mesditën e sotme në qytetin e Kavajës, ku një 47-vjeçar ka mbetur i vrarë me thikë në zemër pas një konflikti të çastit. Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga vendngjarja, duke zbardhur dinamikën e asaj që nisi si një debat për parkimin e makinës dhe përfundoi në një krim makabër që la pas një viktimë dhe një autor në arrati.
Gjithçka nisi kur viktima, Alket Isufi, parkoi automjetin e tij përpara banesës së shtetasit Land Puja, i njohur në zonë edhe me mbiemrin Derjaj. Ky i fundit, i irrituar nga prania e mjetit që sipas tij i pengonte hyrjen dhe daljen me makinën e vet, ka dalë me shpejtësi nga shtëpia duke i kërkuar Isufit që ta largonte mjetin menjëherë. Debati ka nisur me tone të larta dhe ofendime, ndërsa situata është tensionuar tej mase kur 47-vjeçari i është përgjigjur me ashpërsi pretendimeve të fqinjit të tij.
Në gjaknxehtësi e sipër, konflikti verbal ka degjeneruar në dhunë fizike. Land Puja dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe, në sytë e dëshmitarëve, e ka goditur Alket Isufin dy herë me forcë direkt në zemër. Goditjet kanë qenë fatale, duke i shkaktuar 47-vjeçarit vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori ka përfituar nga tmerri i krijuar për t'u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Aktualisht, Policia e Kavajës ka rrethuar të gjithë zonën dhe ka ngritur pika kontrolli në akset kryesore për të rënë në gjurmët e autorit.