Tirana u përball të premten me një seri ngjarjesh të rënda që tronditën kryeqytetin, ku brenda pak orësh u shënua një viktimë, dy persona të plagosur dhe dy raste vetëvrasjeje.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua në zonën e Ish-Parkut, ku 31-vjeçari Egli Pashollari u sulmua sapo doli nga automjeti i tij nga tre persona – dy djem dhe një vajzë. Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka degjeneruar në përleshje fizike dhe njëri prej agresorëve e ka goditur me thikë në shpinë. I riu mori ndihmën e parë pranë një lokali në zonë dhe më pas u transportua me urgjencë drejt spitalit nga persona të pranishëm, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar shtetasin Gazmend Buçpapa, ndërsa po heton rrethanat e ngjarjes, e cila paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.
Një tjetër episod i rëndë u shënua në zonën e “Rrugës së Kavajës”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 34-vjeçari Akil Koxhaxhiku. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Si autor i dyshuar është shpallur në kërkim Besaj Ferazini. Sipas burimeve policore, ngjarja dyshohet të ketë lidhje me konflikte personale, pasi autori pretendon se kishte pasur lidhje me bashkëshorten e të plagosurit.
Pak orë më vonë, një tjetër plagosje me thikë u regjistrua në zonën e Kombinatit, ku një 27-vjeçar mbeti i lënduar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Autori është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.
E premtja e rëndë u mbyll me dy raste vetëvrasjeje. Një 42-vjeçar dyshohet se i dha fund jetës duke u hedhur nga ura e Babrroit, ndërsa një 27-vjeçar tjetër u vetëvra me armë zjarri në banesën e tij në zonën e Rrugës Ura.
Seria e ngjarjeve të rënda në zemër të kryeqytetit ka rikthyer shqetësimin për sigurinë publike, ndërsa policia thotë se vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të secilit rast.