Një moment historik u shënua dje në Barcelonë me vendosjen e pjesës së fundit të kullës qendrore të kishës ikonike Sagrada Familia, 144 vjet pas fillimit të ndërtimit të saj. Kryqi katërkëndor prej çeliku dhe qelqi, 17 metra i lartë dhe me peshë mbi 12 ton, u ngrit dhe u fiksua në vendin e tij në orën 11:00 të mëngjesit, duke përfunduar kullën kushtuar Jezu Krishtit. Me një lartësi përfundimtare prej 172.5 metrash, Sagrada Familia bëhet ndërtesa më e lartë në Barcelonë dhe kisha më e lartë në botë.
Ceremonia përfshiu ngritjen e flamujve të Katalonjës dhe të Vatikanit, ndërsa arkitekti kryesor i projektit, Jordi Faulí, e përshkroi ditën si një moment “plot gëzim” për të gjithë ata që kontribuan për dekada në ndërtimin e monumentit. Sagrada Familia, pjesë e identitetit të Barcelonës, ka funksionuar për dekada si kantier i hapur ndërtimi dhe është vizituar nga miliona njerëz që kanë mbështetur financiarisht projektin, ndërsa brendësia e saj impresionon me format gjeometrike, kolonat që kujtojnë trungjet e pemëve dhe dritën e shpërndarë nga dritaret me xham shumëngjyrësh.
Pavarësisht përfundimit të kullës qendrore, ndërtimi i përgjithshëm i kishës nuk ka përfunduar ende. Faza tjetër kryesore është fasada jugore, “Fasada e Lavdisë”, e cila pritet të marrë rreth një dekadë tjetër për t’u përfunduar. Tre artistë bashkëkohorë, Miquel Barceló, Cristina Iglesias dhe Javier Marín, janë ftuar të kontribuojnë në këtë projekt monumental, i cili do të simbolizojë udhëtimin e njeriut drejt Zotit dhe do të shënojë kapitullin përfundimtar të një prej veprave më të mëdha arkitekturore të botës.