Shqipëria kryeson në Europë për peshën e makinave me naftë në regjistrimet e reja për vitin 2024, në një kohë kur pjesa më e madhe e kontinentit po largohet me shpejtësi nga ky lloj motori.
Sipas të dhënave të Eurostat, 66.2% e automjeteve të pasagjerëve të regjistruara për herë të parë në vend gjatë 2024-ës ishin me naftë, kundrejt mesatares së Bashkimi Europian prej 14.9%. Në total u regjistruan 85.7 mijë mjete, nga të cilat 56.7 mijë me naftë. Makinat elektrike përbëjnë vetëm 3.3% të regjistrimeve, ndërsa mjetet me energji alternative në total arrijnë në 12.9%.
Në të kundërt, në BE po përshpejtohet tranzicioni drejt automjeteve me emetime të ulëta. Në disa vende, si Danimarka, makinat plotësisht elektrike përbëjnë mbi gjysmën e regjistrimeve të reja, ndërsa në nivel unioni arritën në 13.5% në vitin 2024.
Diferenca lidhet kryesisht me strukturën e tregut shqiptar, të dominuar nga importi i makinave të përdorura dhe kostot më të ulëta fillestare të mjeteve me naftë. Mungesa e një rrjeti të zhvilluar karikimi dhe stimujve fiskalë për automjetet elektrike e ngadalëson më tej tranzicionin.
Megjithatë, rritja e standardeve europiane të emetimeve dhe presioni për dekarbonizim pritet të ndikojnë gradualisht edhe tregun vendas në vitet në vijim.