Foreign Investors Association of Albania (FIAA) ngre alarmin se pasiguria fiskale dhe drejtësia e vonuar po dëmtojnë seriozisht klimën e investimeve në vend. Në “White Book 2025–2029”, shoqata thekson se ndryshimet e shpeshta dhe të paparashikueshme në legjislacionin tatimor, të ndërmarra pa konsultim të strukturuar me biznesin, po krijojnë një klimë pasigurie që i shtyn investitorët të orientohen drejt vendeve të tjera të rajonit me rregulla më të qëndrueshme.
Sipas kreut të FIAA-s, Balazs Revesz, për investitorët ndërkombëtarë parashikueshmëria fiskale ka më shumë vlerë sesa një normë e ulët tatimore e ekspozuar ndaj ndryshimeve të shpeshta. Ai thekson se rreziku rregullator po funksionon si një “taksë e padukshme”, duke mos ndikuar vetëm tek investimet e reja, por edhe tek zgjerimi i atyre ekzistuese. Për këtë arsye, FIAA kërkon krijimin e një kalendari të qëndrueshëm fiskal dhe një mekanizëm të përhershëm dialogu, ku zëri i biznesit të dëgjohet para miratimit të ndryshimeve ligjore.
Një tjetër shqetësim madhor mbetet funksionimi i sistemit të drejtësisë. Sipas FIAA-s, zvarritja e proceseve gjyqësore dhe grumbullimi i dosjeve, veçanërisht në çështjet administrative, rrisin pasigurinë për investitorët. “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, thekson shoqata, duke paralajmëruar se pa një sistem gjyqësor efikas, të shpejtë dhe të specializuar në çështje tregtare, Shqipëria rrezikon të humbasë besimin e investitorëve seriozë dhe të dëmtojë pozicionimin e saj si destinacion konkurrues në rajon.