Policia mbyti besimtarët me gaz brenda xhamisë, Rama e Koçiu në rolin e shenjtorëve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.02.2026, 08:30

Pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, fillimisht foli “apostulli” i rrjeteve sociale, Edi Rama. Nga komoditeti i një postimi në X, ai ndau një foto nga Xhamia e Namazgjasë, ku tymi i gazit lotsjellës u përzie me lutjet e besimtarëve në muajin e Ramazanit. Me një fjali që tingëllonte si shenjtor “Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…” kryeministri vendosi të shpallë fajtorët, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia ishte aq e qartë sa edhe reja e gazit që mbuloi zonën. Në këtë version të ngjarjes, roli i shenjtorit që denoncon mëkatin ishte i rezervuar për të.

Më pas, në skenë hyri edhe “zëri i pendesës”, ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Ajo përshkroi një kryeqytet të ndarë mes përulësisë së besimtarëve dhe “bandës së molotovit”, duke vizatuar një tablo ku lutja përballej me mallkimin dhe qytetaria me vandalizmin. Ndërsa kërkoi ndjesë për besimtarët që u përballën me gazin lotsjellës, ministrja mbylli reagimin me thirrjen: “Fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë!”, duke e ngritur narrativën nga politika tokësore në një dimension thuajse hyjnor.

Në fund, mes tymit, molotovëve dhe statuseve plot patos, mbetet ndjesia se politika shqiptare gjen gjithmonë një mënyrë për të veshur petkun e shenjtërisë. Njëra palë shpall mëkatarët, tjetra kërkon falje në emër të tyre, ndërsa qytetarët mes lutjes dhe protestës mbeten dëshmitarë të një gare për moralin më të lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit