Petrit Malaj, “zari” i Belindës që po bllokon ligjin që u ul çmimet shtëpive

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.02.2026, 19:00

Petrit Malaj, njeriu që u katapultua në krye të financave të shtetit si një emërim direkt dhe besnik i Belinda Ballukut, po dëshmon dita-ditës se detyra e tij e vërtetë nuk është mirëqenia e qytetarëve, por administrimi i heshtur i interesave të një grushti njerëzish që kontrollojnë betonin në Shqipëri.

Megjithëse ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme ka hyrë zyrtarisht në fuqi që më 22 janar 2026, ai po mbahet peng në sirtarët e ministrit. Malaj premtoi publikisht se udhëzimet që zhbllokojnë procesin do të ishin gati brenda mesit të shkurtit, por sot që jemi në datën 20, sportelet e Kadastrës mbeten të bllokuara. Kjo "vonesë teknike" nuk është asgjë tjetër veçse një shërbim i pastër i tij ndaj oligarkisë së ndërtimit.

Kjo vonesë mban erën e një korrupsioni të sofistikuar ku paratë fitohen pikërisht duke mos bërë asgjë. Duke sabotuar zbatimin e rivlerësimit, "zari" i financave ka goditur drejtpërdrejt tregun e rishitjes.

Mijëra familje shqiptare që duan të shesin pronat e tyre me taksën e zbutur prej 5%, janë detyruar t'i tërheqin ato nga tregu në pritje të udhëzimeve që Malaj nuk po i firmos. Ky bllokim artificial i ofertës ka krijuar një "autostradë" për ndërtuesit e mëdhenj, të cilët tani shesin kullat e tyre pa asnjë konkurrencë nga tregu i shtëpive të përdorura.

Pa alternativa në qarkullim, blerësit janë të detyruar të pranojnë çmimet e fryra të pallateve të reja, të cilat qëndrojnë në majë pikërisht sepse ministri ka vrarë me vetëdije mundësinë e qytetarit për të nxjerrë pronën e tij në shitje.

Është një skemë e mirëmenduar ku Ministria e Financave vepron si mburojë për ndërtuesit, duke u siguruar atyre monopolin mbi shitjet dhe duke ndaluar rënien e natyrshme të çmimeve që do të vinte nga shtimi i pronave në treg.

Ndërsa Petrit Malaj mund të mburret me aksione ndaj biznesit të vogël për një kupon gjize, ai mbyll sytë përpara faktit se "harresa" e tij po i mban çmimet e banesave të betonizuara në nivele të paarritshme për shqiptarët.

Ky sabotim i ligjit të Kuvendit tregon se për këtë titullar, urdhri i padronëve të betonit dhe i shefes që e katapultoi në atë karrige, vlen më shumë se interesi publik. Kostoja e kësaj loje po paguhet me kursimet e familjeve të thjeshta, ndërsa milionat e siguruara nga mbajtja artificiale e çmimeve po rrjedhin drejt xhepave të atyre që nuk ngopen kurrë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit