Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar këtë të premte në Tirana, ku humbi jetën 31-vjeçari Egli Pashollari. Ngjarja ndodhi në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, shumë pranë Komisariatit nr. 2 të Policisë, ku një konflikt i çastit mes disa të rinjve degjeneroi në dhunë fizike me mjete të forta.
Sipas burimeve, përplasja ka nisur brenda ambienteve të një lokali për motive banale dhe më pas është zhvendosur jashtë. Në kulmin e sherrit, 31-vjeçari dyshohet se është goditur me thikë, plagë që rezultuan fatale. Pavarësisht ndihmës së dhënë, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Fakti që ngjarja ndodhi fare pranë një komisariati policie ka shtuar pikëpyetjet mbi përshkallëzimin e situatës deri në vrasje. Një grup hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.