Një arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri, municioni luftarak dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa janë zbuluar dhe sekuestruar në Fushë-Krujë.
Armët dhe lëndët narkotike i përkasin 49-vjeçarit Ylli Zalla, i cili është shpallur në kërkim që prej nëntorit të vitit të kaluar për atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani.
Gjatë operacionit u sekuestruan: 24 kallëpe tritoli, 11 granata dore sulmuese, lëndë plasëse gati për shpërthim me kapsolla detonatore dhe fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 27 djegore; 3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa; Uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
49-vjeçari Ylli Zalla nuk është emër i panjohur për autoritetet. Ai u arrestua më parë në vitin 2014 për prodhim armësh artizanale dhe dyshohej për lidhje me grupet terroriste të ISIS, të cilët dërgonin shqiptarë për të luftuar në Siri. Ai u akuzua për “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, por nuk dihet nëse është dënuar.
Gjatë një aksioni të mëparshëm në nëntor 2025, në banesën e tij ishin sekuestruar armë, lëndë plasëse dhe Cannabis Sativa, megjithëse ekspertiza kishte përjashtuar lidhjen e tij me atentatin në Rinas.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës po punojnë intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e Zallës, si dhe për të dokumentuar të gjitha aktivitetet kriminale të lidhura me të.