Banorët e Verdovës, një lagje e qytetit të Pogradec, po përballen prej kohësh me një realitet që bie ndesh me çdo standard minimal shërbimi publik. Ata paguajnë rregullisht taksa për kanalizime dhe ndriçim rrugor, por në terren mungojnë si rrjeti funksional i ujërave të zeza, ashtu edhe dritat publike.
Sipas banorëve, lagjja mbetet në errësirë gjatë natës, ndërsa sa herë ka reshje, rrugët përmbyten dhe kthehen në baltë, duke u bërë pothuajse të pakalueshme. Segmentet janë të amortizuara, të bllokuara dhe pa mirëmbajtje, çka vështirëson lëvizjen e këmbësorëve, automjeteve dhe veçanërisht të fëmijëve e të moshuarve.
Kjo situatë shihet si neglizhencë e hapur nga autoritetet vendore, pasi taksat mblidhen, por shërbimet nuk ofrohen. Banorët ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe kërkojnë transparencë për investimet që, sipas tyre, nuk reflektohen në infrastrukturën e lagjes.
Verdova nuk kërkon privilegje, por standardin bazë të jetesës: rrugë të kalueshme, kanalizime funksionale dhe ndriçim publik. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për rehabilitimin e rrugëve dhe garantimin e shërbimeve, duke theksuar se pagesa e taksave duhet të shoqërohet me përgjegjësi konkrete nga institucionet.