Porti i Vigos në Spanjë nën kontrollin e mafias shqiptare, 10 ton kokainë në vit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.02.2026, 15:08

Rrjetet e fuqishme shqiptare të narkotrafikut vijojnë përpjekjet për ta përdorur Portin e Vigos si një nga portat kryesore të hyrjes së kokainës në Europë.

Në një operacion të përbashkët, Guardia Civil dhe Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore i Agjencisë Tatimore spanjolle arrestuan dy shtetas shqiptarë, të cilët tentuan të hynin në zonën portuale për të nxjerrë 80 kilogramë kokainë të fshehur në sistemin e ftohjes së një kontejneri të ardhur nga Ekuadori. Kontejneri u përzgjodh nga Njësia e Analizës së Rrezikut dhe, pas kontrollit me rreze X, u zbulua droga e kamufluar brenda mekanizmit frigoriferik.

Operacioni konsiderohet goditja e katërt ndaj grupeve që veprojnë për llogari të ashtuquajturit “Klan i Ballkanit”, i cili ka shfaqur aktivitet të shtuar në Vigo që prej vitit 2024. Hetimet e mëpasshme identifikuan një strukturë kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, me rol të qartë në nxjerrjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike. Dy persona u kapën në flagrancë, ndërsa dy të tjerë arritën të arratisen.

Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 61 pako kokainë dhe pajisje të përdorura për rikuperimin e saj, ndërsa një kontroll i dytë i detajuar zbuloi edhe nëntë pako të tjera. Në total, mbi 80 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro, u bllokuan nga autoritetet. Hetimi mbetet i hapur dhe po koordinohet nga gjykata e Vigos, me mundësi arrestimesh të tjera.

Ky është sekuestrimi i dytë i rëndësishëm këtë vit në Vigo. Një muaj më parë, në kuadër të Operacionit “Monterrey”, u kapën 200 kilogramë kokainë dhe u arrestuan tetë persona, gjithashtu të lidhur me rrjete shqiptare. Ekuadori mbetet një nga pikat kryesore të nisjes së ngarkesave, ndërsa linjat tregtare të hapura së fundmi për transport frutash dhe peshku të ngrirë kanë krijuar terren të favorshëm për kamuflimin e drogës.

Vetëm gjatë vitit të fundit, në portin e Vigos janë kapur rreth 10 tonë kokainë. Rekordi mbetet ngarkesa prej 7.5 tonësh e zbuluar në dhjetor 2023 në Galici, e cila kishte hyrë përmes këtij porti e fshehur në kontejnerë me ton të ngrirë — një operacion që, sipas autoriteteve, mbante sërish gjurmët e rrjeteve të njohura si “Klan i Ballkanit”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit