Tragjedia në urën e Babrroit e paralajmëruar? Punimet gjysmake dhe barrierat dekorative

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.02.2026, 13:14

Një ngjarje e rëndë u regjistrua këtë të premte në zonën e Babrrusë, ku një 42-vjeçar dyshohet se është vetëhedhur nga Ura e Babrroit, duke rënë në rrugën e Unazës Lindore.

Sipas informacioneve paraprak, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:40 dhe, për shkak të plagëve të marra nga rënia, ai ka humbur jetën në vendngjarje.

Pas kësaj ngjarjeje, një qytetar ka denoncuar publikisht gjendjen e urës, duke e cilësuar investimin si të papërfunduar dhe të rrezikshëm për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.

Sipas tij, ura duhej të ishte ndërtuar me dy kalime dhe segmente të ndara për kalimtarët, por punimet janë lënë përgjysmë. Ai thekson se në anën e urës nga Dajti, aty ku dyshohet se është hedhur 42-vjeçari, ka vetëm barriera të vogla mbrojtëse, të cilat, sipas denoncuesit mund të kapërcehen lehtësisht edhe nga një fëmijë.

Qytetari shton se mungon sinjalistika e nevojshme dhe mbrojtja anësore, ndërsa thekson se edhe qarkullimi me automjet paraqet rrezik, pasi nëse një drejtues mjeti nuk devijon në kohë, mund të përfundojë në rrugën e Unazës. Sipas tij, ura përbën “burim tragjedie në çdo moment” dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse.

Ai shprehet se, pavarësisht shkaqeve personale që mund të kenë çuar në aktin ekstrem, institucionet vendore kanë detyrimin të minimizojnë çdo mundësi rreziku për qytetarët përmes standardeve të sigurisë dhe infrastrukturës së plotë mbrojtëse.

Denoncimi i qytetarit:

Bazuar ne ngjarjen ndodhur ne babrru ! Aty duhet te ishte nje ure dy kalimshe me dy segmente te ndara ,dhe bashkia kamez ose e tiranes kushdo qe e ka ber si investim e ka len punimin pergjysem !

Nje ur skandaloze qe dhe makinat 2 me zor kaloj nga frika se ana e ures nga dajt ku dhe esht hedhur personi ka vetem berdura te vogla qe dhe nje femi i vogel mud thjesht i kapercej dhe te bie ne Unaze . Nje ure qe dhe me makin po ece drejt dhe ndoshta harron te devijosh ne selond e gjen veten poshte ne unaze pa asnje sinjalistik nje burim tragjedie ne cdo moment. Nje papergjegjsi e madhe ku minimalisht duhet te ishte me mburoje anesore si cdo ure tjeter. E len pergjys dhe bashkimi i daljes se babrroit me fundin e rruges 5 maj qe evito cdo lloj trafiku te mbingarkuar. Papergjegjsi e madhe.

Do thon jo po depresioni do e bente,dakort por ti si bashki mbyll opsionet qe e ke per detyre qe njerzit kur t kalojn as mos ta mendojne nje gje te tille. Ju lutem anonim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit