Një familje shqiptare po përballet me një situatë tepër të vështirë, teksa kryefamiljari, Rruzhdi Kaca, ndodhet në gjendje kome prej 28 dhjetorit në një spital në Turqi.
Ai është i shtruar në Başakşehir Çam ve Sakura Şehir Hastanesi në Stamboll, ku po trajtohet pas diagnostikimit me Polineuropati – Guillain-Barré Syndrome, një sëmundje e rëndë që prek sistemin nervor dhe mund të shkaktojë paralizë të trupit.
Sipas familjarëve, pas trajtimit fillestar, gjendja e tij u përkeqësua papritur në fund të dhjetorit, duke e çuar në koma. Që nga ajo ditë, ai vijon të jetë nën kujdes intensiv mjekësor, ndërsa së fundmi janë vënë re disa shenja përmirësimi që japin shpresë për rikuperim.
Megjithatë, kostot e qëndrimit në terapi intensive, trajtimet e specializuara, medikamentet dhe kujdesi i vazhdueshëm mjekësor janë shumë të larta dhe po rriten çdo ditë. Familja shprehet se, pavarësisht mbështetjes së marrë deri më tani, nuk ka më mundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e mëtejshme.
Afati për shlyerjen e shumës së kërkuar është i shkurtër, deri të hënën ose të martën, në mënyrë që të mundësohet vijimi i trajtimit apo organizimi i transportimit të tij drejt Shqipërisë.
Familja Kaca u bën thirrje të gjithë qytetarëve për ndihmë financiare për të mbuluar:
Shpenzimet e spitalit dhe terapisë intensive
Medikamentet dhe trajtimet e specializuara
Kujdesin pasues dhe rehabilitimin
Çdo kontribut, sado i vogël, konsiderohet një ndihmë e çmuar për të rritur shpresën për jetën e Rruzhdi Kacës. Në pamundësi për të kontribuar financiarisht, familjarët kërkojnë që rasti të shpërndahet sa më shumë, në mënyrë që apeli të arrijë tek sa më shumë njerëz.
Në këtë periudhë të vështirë, familja falënderon të gjithë ata që kanë ofruar mbështetje, lutje dhe solidaritet.