Në zonën e tuneleve në Qafë Thore, rruga drejt Thethit është ribllokuar si pasojë e aktivizimit të orteqeve. Fenomeni ka ardhur si rezultat i sasisë së madhe të borës së rënë gjatë orëve të para të mëngjesit dhe rritjes së temperaturave, të cilat aktualisht janë rreth 0°C, duke krijuar rrezik për lëvizjen në aksin malor.
Edhe pse rruga ishte pastruar gjatë natës, reshjet dhe lëvizjet e borës kanë bërë që ajo të bllokohet sërish në mëngjes, duke pamundësuar qarkullimin e mjeteve drejt Thethit. Situata paraqitet problematike për banorët dhe turistët që përdorin këtë aks për të lëvizur në zonën malore.
Ndërkohë, në aksin Hani i Hotit-Dogana e Vermoshit kanë nisur reshjet e dëborës në lartësitë mbi 1100 metra, gjë që mund të sjellë vështirësi të mëtejshme në qarkullim. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për situatën në terren.