Gjykata e Fierit sekuestron pasuritë e Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.02.2026, 08:29

Gjykata e Fierit, me kërkesë të Prokuroria e Fierit, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive në pronësi të Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij, në kuadër të një hetimi pasuror për dyshime mbi burimin e tyre. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Vladimir Cjapi, ndërsa sipas organit të akuzës ekzistojnë dyshime të arsyeshme se pasuritë janë përfituar nga veprimtari kriminale. Taullau është i dyshuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa më herët ka qenë subjekt i verifikimeve edhe në kuadër të operacionit Forca e Ligjit (OFL) për pasuri të pajustifikuara.

Sipas dosjes hetimore, në maj 2024 janë sekuestruar gjashtë pasuri, ndërsa në vijim të hetimeve janë vendosur nën sekuestro edhe prona të tjera në emër të shtetasve A.T. dhe V.T., që dyshohet se kanë lidhje me Taullaun. Mes pasurive të sekuestruara përfshihet një truall në lagjen “Loni Dhamo” në Lushnjë, një arë me sipërfaqe 15,323 m2 në Savër, si dhe një tjetër tokë bujqësore në Karbunarë e Poshtme. Gjithashtu, janë sekuestruar tre apartamente në zonën e Saukut në Tiranë, me sipërfaqe përkatësisht 128 m2, 96.17 m2 dhe 105.57 m2.

Saimir Taullau njihet si kundërshtar i Aldo Bare, ish-kreut të të ashtuquajturës “banda e Lushnjës”, i cili po vuan dënimin me burgim. Familja Taullau është përfshirë prej vitesh në përplasje me grupin rival në Lushnjë, ndërsa në vitin 2005 u ekzekutua Baki Taullau, vëllai i Saimir Taullaut. Hetimet për çështjen e pasurive vijojnë, ndërsa organet ligjzbatuese po verifikojnë burimin financiar të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit