Britania i ‘mbyll derën’ SHBA: S’i jep leje për përdorimin e bazave ushtarake për sulme ndaj Iranit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.02.2026, 01:21

Në një moment kritik për krizën me Iranin, qeveria britanike ka refuzuar t’i japë Shteteve të Bashkuara leje për përdorimin e bazave të saj ushtarake në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Teheranit.

Ky vendim, i cili bllokon pika strategjike si RAF Fairford dhe Diego Garcia, vjen vetëm pak ditë përpara skadimit të ultimatumit 10-ditor të Presidentit Trump.

Sipas mediave britanike, Londra nuk ka autorizuar përdorimin e dy pikave strategjike kyçe:

– RAF Fairford, baza ajrore në Gloucestershire, e përdorur më herët për bombardues amerikanë; – Diego Garcia, baza në Oqeanin Indian, që shërben si nyje thelbësore për operacione me rreze të gjatë veprimi në Lindjen e Mesme.

Këto objekte janë përdorur edhe në të kaluarën nga SHBA, por vetëm me miratimin e plotë të qeverisë britanike. Sipas marrëveshjeve dypalëshe, Uashingtoni nuk mund të kryejë operacione luftarake nga territori britanik pa autorizim paraprak.

Vendimi i Londrës vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se brenda “10 ditëve” do të bëhet e qartë nëse SHBA do të arrijë një marrëveshje me Iranin për programin bërthamor apo do të kalojë në veprim ushtarak.

Ndërkohë, Uashingtoni ka shtuar praninë ushtarake në rajon, duke zhvendosur anije luftarake dhe avionë, lëvizje që interpretohen si presion i drejtpërdrejtë ndaj Teheranit.

Sipas “The Times”, pas tensioneve të fundit mes Trump dhe kryeministrit britanik Keir Starmer, përfshirë debatet për Ishujt Chagos, mund të qëndrojë pikërisht mosdhënia e lejes për bazat.

Paralelisht me përgatitjet ushtarake, negociatorët amerikanë dhe iranianë janë takuar në Zvicër, ku raportohen sinjale të kujdesshme optimizmi.

Londra ka theksuar se mbështet zgjidhjen diplomatike dhe se prioriteti i saj mbetet parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore, por pa u përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt të ri.

Një zëdhënës i qeverisë britanike u shpreh shkurt: “Si zakonisht, nuk komentojmë çështje operative”, duke lënë të kuptohet se qëndrimi për bazat mbetet i pandryshuar.

Refuzimi i Londrës sinjalizon një kujdes të theksuar për të mos u bërë palë aktive në një përshkallëzim të mundshëm ushtarak, në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë në pikën më të ndjeshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit