Një ngjarje e rëndë u regjistrua ditën e sotme rreth orës 09:40 në fshatin Rrilë të Lezhës, ku 27-vjeçari Mark Prenga humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.
I riu, me origjinë nga Gojani dhe banues në fshatin Pllanë, kishte tre vite që punonte pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Sipas të dhënave paraprake, ai ishte njoftuar nga banorët për mungesë të energjisë elektrike dhe, së bashku me dy kolegë, kishte shkuar për të riparuar një defekt në një shtyllë elektrike, vetëm 50 metra larg nënstacionit.
Mésohet se sapo është ngjitur në shtyllë, 27-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Dyshohet se njëra prej linjave paralele nuk ishte stakuar nga punonjësit e nënstacionit, çka mund të ketë çuar në tragjedinë fatale. Paraprakisht, hetimet po fokusohen edhe te mosrespektimi i rregullave të sigurisë në punë.
Trupi i pajetë u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet dhe po merren në pyetje punonjës dhe drejtues të OSHEE-së në Lezhë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Kjo tragjedi vjen në një kohë kur rrjeti i amortizuar elektrik në disa zona të Lezhës është denoncuar vazhdimisht si problematik, si për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë, ashtu edhe për rrezikun që paraqet për jetën e qytetarëve dhe vetë punonjësve të terrenit.
Fakti që kjo është viktima e tretë brenda pak muajsh nga kontakti me energjinë elektrike ngre shqetësime serioze për standardet e sigurisë dhe gjendjen e infrastrukturës.