Vrasja në burgun grek nën “hijen” e Alket Rizait, arrestohet kryegardiani

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.02.2026, 16:24

Një episod i rëndë kriminal tronditi pak ditë më parë Burgun Domokos në Greqi, ku një i dënuar me burgim të përjetshëm mbeti i vrarë me armë zjarri brenda ambienteve të sigurisë së lartë. Sipas raportimeve, 43-vjeçari grek dyshohet se ka tentuar të sulmojë krye-rojën e turnit, por është qëlluar për vdekje nga një tjetër i burgosur me origjinë bullgare. Ngjarja ka ndodhur në prani të shqiptarit Alket Rizai, i cili po vuan dënimin në të njëjtin institucion, megjithëse deri më tani nuk ka të dhëna që e lidhin atë me incidentin.

Autoritetet greke kanë arrestuar kryegardianin e burgut, i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e të dënuarit. Sipas mediave vendase, hetuesit nuk janë bindur nga versioni fillestar, sipas të cilit bullgari kishte vepruar për të “shpëtuar” oficerin. Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të lidhjeve familjare të kryegardianit me një shqiptar të dënuar për krime të rënda, i cili rezulton i arratisur pasi kishte përfituar leje në rrethana të dyshimta, me ndihmën e rojës së ndaluar.

Analiza e pamjeve filmike nga korridoret e burgut duket se hedh hije dyshimi mbi narrativën zyrtare. Në video, 43-vjeçari shfaqet duke dalë nga qelia i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë, pa shenja të dukshme se mbante armë, ndonëse pretendohet se kishte tentuar të qëllonte rreshterin. Sipas deklarimeve, bullgari e ka çarmatosur, por në vend që ta neutralizonte, e ka qëlluar tre herë, dy prej plumbave në kokë. Oficerë të lartë të përfshirë në hetim theksojnë se ka indikacione serioze që skenari i paraqitur nuk përputhet me realitetin, ndërsa çështja mbetet nën hetim intensiv.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit