Kanë nisur zyrtarisht bisedimet mes Trabzonspor dhe Beşiktaş JK për të ardhmen e Ernest Muçi. Sulmuesi shqiptar, i transferuar në formë huazimi nga klubi i Stambollit me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, ka lënë gjurmë të forta në Trabzon, duke realizuar 13 gola dhe duke dhënë 5 asiste në 29 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Sipas mediave turke, drejtuesit e Trabzonsporit synojnë të negociojnë uljen e çmimit të kartonit, i cili aktualisht është fiksuar në 8.5 milionë euro. Nga ana tjetër, Beşiktaş nuk duket i gatshme të bëjë lëshime, mbështetur te forma shumë e mirë e 24-vjeçarit dhe potenciali i tij në rritje. Kontrata e Muçit me klubin bardhezi është e vlefshme deri më 30 qershor 2027, ç'ka i jep këtij të fundit një pozicion të fortë në tryezën e negociatave.
Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, Muçi mund të rikthehet në merkato si një nga emrat më të nxehtë të verës. Megjithatë, duke parë ndikimin e tij në fushë dhe mbështetjen e madhe nga tifozët, Trabzonspor pritet të bëjë maksimumin për ta mbajtur në skuadër, me synimin për t’i ofruar një kontratë trevjeçare dhe për ta kthyer në një nga pikat kyçe të projektit të ardhshëm sportiv.