Një qytetar ka denoncuar një tjetër episod alarmant në aksin e Librazhdit, segment i njohur prej vitesh si një nga rrugët më problematike në vend, ku nuk kanë munguar aksidentet me pasoja të rënda. Sipas tij, papërgjegjshmëria në timon vijon të jetë një rrezik real për çdo përdorues të rrugës.
Në qendër të denoncimit është një drejtues furgoni me targë AB650CK, i cili ka kryer një manovër tepër të rrezikshme, duke parakaluar në zonë të ndaluar dhe pranë një kthese me fushëpamje të kufizuar. Në ato momente, ai ka parakaluar disa automjete dhe një kamion mallrash, duke rrezikuar përplasjen frontale dhe duke vënë në rrezik jetën e shoferëve të tjerë.
Sjellje të tilla në akse rrugore të njohura për vështirësi dhe rrezikshmëri të lartë mund të kenë pasoja tragjike. Rasti rikthen në vëmendje nevojën për më shumë përgjegjësi individuale në timon, por edhe për masa më të forta parandaluese ndaj shkeljeve që mund të kthehen në fatale brenda sekondash.