Institut de Médecine et de Physiologie Spatiales (Medes) në Toulouse ka hapur thirrjen për 10 burra të shëndetshëm që duan të përjetojnë “jetën si astronaut”, pa u larguar nga Toka. Studimi, që do të zhvillohet në qershor, synon të simulojë mungesën e gravitetit duke i mbajtur vullnetarët të shtrirë për 10 ditë rresht, me një dietë strikte prej vetëm 250 kalorish në ditë. Në këmbim, pjesëmarrësit do të paguhen me 5.000 euro.
Eksperimenti do të analizojë sesi mungesa e gravitetit ndikon në metabolizëm dhe ushqyerje – dy elementë thelbësorë për misionet e gjata hapësinore. Sipas drejtueses së projektit, Amandin Fabr, të dhënat e mbledhura do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shëndetit të astronautëve në të ardhmen. Gjatë qëndrimit, pjesëmarrësit do të mbahen në një pozicion të anuar, pothuajse të palëvizshëm, për të imituar efektet fiziologjike të gravitetit zero.
Interesi ka qenë i lartë, madje edhe nga ish-pjesëmarrës. Njëri prej tyre, Ervani, mori pjesë në vitin 2023 në një eksperiment 60-ditor dhe u shpërblye me 18.000 euro. “Në fillim është sfiduese, por trupi përshtatet më shpejt nga sa mendon,” ka treguar ai. Studimi është pjesë e kërkimeve më të gjera mbi sfidat që përballet trupi i njeriut gjatë jetës në hapësirë, duke e kthyer një dhomë spitali në një laborator për të ardhmen e eksplorimit kozmik.