Debate të ashpra dhe tone të larta dominuan seancën e radhës në gjyqin për dosjen “Plumbi i Artë”, ku u përplasën prokurori Behar Dibra dhe avokatja e Altin Ndocit, ky i fundit nën akuzë dhe i arratisur që prej muajit janar. Përplasja erdhi pas pretendimeve të mbrojtjes për fshehje provash nga ana e organit të akuzës, akuza që u mohua prerazi nga prokurori. “Kërkesat dhe deklaratat që thoni se ne kemi fshehur prova nuk është e vërtetë, nuk ka fshehje prove. Nëse nuk është sjellë, do ta sjellim”, deklaroi ai në sallë.
Avokatja Elda Zotaj reagoi menjëherë, duke e kundërshtuar me tone të forta qëndrimin e prokurorisë: “Po e keni fshehur, pse s’i sillni provat apo ke frikë se je brenda? Po s’ke gjë për të fshehur, sill provat”. Përplasja mes palëve bëri që gjykata të ndërhyjë dhe të ndërpresë seancën, duke theksuar se shqyrtimi do të vijojë me administrimin e kërkesave të mëtejshme për prova. Trupi gjykues njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 3 mars, në orën 10:00, ndërsa javën e ardhshme nuk do të ketë zhvillime.
Gjatë seancës së sotme, Prokuroria e Posaçme paraqiti procesverbalet e identifikimit të tre llogarive të platformës “Sky” nga Nuredin Dumani, si edhe nga disa të pandehur, mes tyre Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, Armand Tragaj, Ardian Subashi (ose Çollaku), Arjan Saliu, i cili është vrarë, si dhe Festim Qoli. Sipas akteve të lexuara, komunikimet përmbajnë referenca për episode të ndryshme kriminale, përfshirë vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, plane për atentate ndaj Indrit Dokles dhe Emiliano Ramazanit, si dhe ngjarje të tjera të rënda, mes tyre shkatërrimi me eksploziv i banesës së Talo Celës, vrasja e Fatmira Dedjes, si edhe episode që lidhen me Sanxhaktarin dhe dy vëllezërit Haxhia.