Qytetarët e Tiranës po përballen çdo ditë me shoferë të paduruar që tentojnë të shmangin trafikun duke hyrë pa radhë në hyrjet dhe daljet e Unazës së Madhe.
Pamjet e dërguara nga një qytetar tregojnë dhjetëra makina që futen pa respektuar radhën në një dalje të Unazës, në zonën e Fabrikës së Miellit, duke shkelur qartë rregullat e qarkullimit dhe duke rritur kaosin në trafik.
Mbikalimi pranë Fabrikës së Miellit është bërë një pikë problematike e trafikut në Tiranë. Qindra makina janë të detyruara të presin në ngushticën prej rreth 3 metrash, duke humbur orë të tëra, ndërsa përballen me shoferë që nuk respektojnë radhën dhe rregullat e qarkullimit.
Situata tregon nevojën urgjente për kontroll dhe menaxhim më të mirë të trafikut në këtë zonë kritike, për të parandaluar kaosin dhe rrezikun për qytetarët.