Përmbytjet e janarit fundosën fermerët shqiptarë: Eksportet e zarzavatet ranë me 46%

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.02.2026, 09:57

Eksportet shqiptare të zarzavateve e kanë nisur vitin 2026 me një rënie të ndjeshme, si pasojë e përmbytjeve që goditën në fillim të vitit zonat kryesore bujqësore dhe serat e orientuara drejt tregjeve të huaja.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për muajin janar, Shqipëria eksportoi 5,367 ton zarzavate, nga 9,936 ton në të njëjtin muaj të vitit 2025, duke shënuar një tkurrje prej rreth 46% në bazë vjetore. Rënia bëhet edhe më domethënëse po të kihet parasysh se janari i vitit të kaluar ishte muaji më i mirë i dekadës për këtë kategori.

Gjatë vitit 2025, zgjerimi i sipërfaqeve me sera dhe kërkesa e lartë nga tregjet europiane për produkte të stinës, si lakra dhe karota, e çuan eksportin në nivele rekord, duke nxitur mbjellje të reja edhe në fushë të hapur. Megjithatë, përmbytjet e janarit 2026 dëmtuan qindra hektarë kultura bujqësore, duke goditur drejtpërdrejt prodhimin dhe zinxhirin e furnizimit.

Edhe pas kësaj rënieje, volumi i eksporteve mbetet më i lartë krahasuar me shumicën e viteve para pandemisë, kur eksportet e janarit varionin nga 1.8 deri në 3.8 mijë tonë. Rritja e viteve të fundit ka krijuar një bazë më të konsoliduar prodhimi, por zhvillimet e fundit tregojnë se sektori vijon të jetë i ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike.

Zonat e ultësirës perëndimore, ku përqendrohet një pjesë e madhe e prodhimit për eksport, u përballën me dëmtime të konsiderueshme të kulturave, ndërsa problemet në transport dhe logjistikë kufizuan dërgesat drejt tregjeve të Bashkimit Europian.

Pas disa vitesh rritjeje të qëndrueshme dhe investimesh në sera, situata e krijuar nxjerr në pah nevojën për forcimin e infrastrukturës mbrojtëse dhe përmirësimin e menaxhimit të riskut klimatik, si faktorë kyç për stabilitetin e eksporteve.

Operatorët e tregut presin një rikuperim gradual në muajt në vijim, por fillimi i vitit ka shtuar pasiguritë për eksportuesit. Ndërkohë, sektori bujqësor po hyn në një fazë konsolidimi: fermat e vogla dhe të mesme në zonat rurale po përballen me tkurrje dhe plakje të popullsisë, ndërsa po rriten investimet në ferma të mëdha blegtorale dhe në sera intensive në zona si Fieri dhe Lushnja, të orientuara kryesisht drejt eksportit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit