Për herë të parë këtë vit, fillimi i Ramazanit për myslimanët dhe i Kreshmëve për të krishterët përkon në të njëjtën ditë, duke ofruar një mundësi të rrallë për dialog dhe bashkëpunim ndërfetar në mbarë globin. Udhëheqësit fetarë theksuan se kjo koincidencë është një shenjë hyjnore dhe një mundësi për të përhapur dashuri, paqe dhe respekt midis besimtarëve të të dy feve. Për myslimanët, Ramazani është një muaj agjërimi nga agimi deri në perëndim të diellit dhe lutjeje të përditshme, ndërsa për të krishterët, Kreshmët nënkuptojnë sakrificë për 40 ditë, duke theksuar reflektimin dhe bamirësinë.
Sheikh Dr. Fares Al Mustafa, imam në Xhaminë dhe Qendrën Al Farooq Omar bin Al Khattab në Dubai, tha se qëllimi i të dy periudhave nuk është vetëm agjërimi nga ushqimi, por pastrimi i shpirtit dhe promovimi i paqes. “Ky është një mesazh, sinjal nga Zoti për të përhapur dashurinë dhe për të larguar energjitë negative. Ramazani dhe Kreshmët na kujtojnë të përqendrohemi tek Zoti dhe tek paqja në zemrat tona,” tha ai për mediat lokale. “Feja është t’i shërbejë njerëzimit, kështu që nëse je mysliman, i krishterë, i çdo besimi, atëherë njerëzimi dhe ndihma ndaj të tjerëve, kjo është me rëndësi.”
Nga ana tjetër, Ipeshkvi Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore, vlerësoi rëndësinë e përvojës së përbashkët shpirtërore. “Përmes agjërimit dhe sakrificës, myslimanët dhe të krishterët ndajnë një udhëtim të ngjashëm human dhe shpirtëror, duke mësuar të respektojnë dhe kuptojnë njëri-tjetrin. Heqja dorë nga fjalët fyese dhe aktet e dëmshme është një hap për t’i konsideruar të afërmit tanë si vëllezër dhe motra.” Ai e cilësoi përputhjen e fillimit të Ramazanit dhe Kreshmëve si një mundësi providenciale për të thelluar respektin dhe bashkëjetesën ndërfetarë.