Një video e veçantë dhe emocionuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke na kujtuar se dashuria nuk njeh moshë, sidomos kur bëhet fjalë për nipërit dhe mbesat.
Në pamje shihet një gjysh në një qendër lojërash për fëmijë në Tiranë, i cili vendos të lërë mënjanë seriozitetin e moshës për t’i plotësuar një dëshirë të vogël mbesës së tij.
Vogëlushja i kërkon të zbresin bashkë nga rrëshqitësja gjigante. Për shumëkënd kjo mund të dukej si një sfidë fizike apo një moment në siklet, por jo për këtë gjysh. Pa u menduar dy herë, ai ulet në rrëshqitësen me ndriçim dhe zbret me shpejtësi drejt pishinës me topa, mes buzëqeshjesh dhe një emocioni të pastër që nuk fshihet dot.
Qytetarja që e ka filmuar dhe që e ka ndarë vetëm me ne, shkruan:
“Le të jetë ky një shembull për të gjithë ne që ndoshta kemi harruar të kalojmë kohë cilësore me fëmijët, nipërit apo mbesat. Shijoni momentet, këto janë ato çaste që duhen vlerësuar! Ky gjysh duhet shpallur hero i muajit të dashurisë!”
Një skenë e thjeshtë, por me një mesazh të madh: dashuria nuk matet me moshë dhe as me dhurata të shtrenjta. Ajo matet me kohën që u kushtojmë atyre që duam dhe me gatishmërinë për t’u bërë sërish fëmijë, vetëm për një buzëqeshje.
Ky gjysh na kujtoi sot të gjithëve se momentet më të bukura janë ato që nuk blihen me para.