Një shfaqje mbresëlënëse me dronë ndriçoi mbrëmjen e sotme qiellin pranë Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, në prag të nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pamjet që kanë mbërritur në redaksi tregojnë formacione simbolike të krijuara nga dronët dekorativë, të cilët dhuruan një atmosferë të veçantë për besimtarët myslimanë.
Nga dita e nesërme nis agjërimi për muajin e Ramazanit, ndërsa besimtarët do të zgjohen për syfyrin e parë. Shfaqja me dronë u organizua si një moment simbolik për të shënuar fillimin e këtij muaji të rëndësishëm për komunitetin mysliman.
Ramazani konsiderohet një periudhë reflektimi, përkushtimi dhe solidariteti, ndërsa atmosfera festive e mbrëmjes së sotme i dha një tjetër ngjyrim hyrjes në këtë muaj të shenjtë.