Autoritetet ligjzbatuese në Greqi kanë vënë në pranga shefin e rojeve të burgut të Domokos, pas ekzekutimit brenda qelisë të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Antonis Papadatos. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë, kur Papadatos u qëllua për vdekje nga një shtetas bullgar që vuante dënimin në të njëjtin institucion.
Sipas mediave greke, viktima u qëllua me një plumb në kokë, duke humbur jetën në vend. Në momentin e krimit, në ambientet e burgut ndodhej edhe shqiptari Alket Rizai. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se pranë vendit të ngjarjes ishte edhe shefi i rojeve, çka ka ndryshuar ndjeshëm rrjedhën e hetimeve. Pamjet filmike jo vetëm që inkriminojnë autorin e dyshuar, por hedhin dyshime serioze për përfshirjen e drejtuesit të sigurisë së burgut, i cili tashmë akuzohet për bashkëpunim në vrasje.
Ndërkohë, bullgari i dyshuar si ekzekutor ka pretenduar se ka vepruar në vetëmbrojtje, por hetuesit grekë dyshojnë se bëhet fjalë për një “kontratë vdekjeje”, pra një krim të porositur dhe të paramenduar. Autoritetet po hetojnë gjithashtu se si arma e zjarrit ka hyrë në burg, kush e ka futur atë dhe si ka përfunduar në duart e autorit. Sipas raportimeve, viktima është thirrur nga autori me pretendimin se e kërkonte shefi i rojeve dhe më pas është qëlluar, një detaj që përforcon dyshimet për një plan të mirëorganizuar brenda mureve të burgut.