Policia italiane në Romë ka arrestuar Markelian Hotin, 27 vjeç, shtetas shqiptar, i konsideruar nga hetuesit europianë si një nga personat kyç në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas autoriteteve, ai ishte në gjendje të organizonte lëvizjen e ngarkesave prej 50 kilogramësh kokainë mes Belgjikës, Dubait dhe Romës.
Prej muajit janar, Hoti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas lëshimit të një urdhër-arresti europian nga autoritetet gjyqësore belge, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Hetimet e prokurorisë belge zbuluan rolin e tij qendror brenda një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës.
Sipas dosjes hetimore, 27-vjeçari shqiptar vepronte si “organizator” i grupit, duke koordinuar trafikun e kokainës dhe duke udhëtuar me automjete luksoze nga Europa Veriore drejt Dubait. Zhvillimi vendimtar në hetime erdhi pas zbulimit të një ngarkese prej 50 kilogramësh kokainë, të fshehur brenda kontejnerëve të mbërritur në portin e Antverpenit.
Pas këtij operacioni, Hoti humbi gjurmët, çka çoi në shpalljen e tij në kërkim në nivel europian. Ai akuzohet për “pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër për të cilën parashikohet një dënim maksimal deri në 15 vite burg.
Arrestimi u bë nga hetuesit e skuadrës mobile të policisë italiane, të koordinuar nga Roberto Pititto, të cilët e lokalizuan të riun shqiptar në një B&B në zonën lindore të Romës, në rrugën “Giovanni Cicali”, ku qëndronte së bashku me të dashurën e tij. Ai rezultonte “fantazmë” për sistemin, pasi pronari i strukturës nuk e kishte regjistruar në portalin zyrtar “Alloggiati Web”, duke e bërë praktikisht të padukshëm për autoritetet.
Pas verifikimit të identitetit, Hoti u dërgua menjëherë në një institucion penitenciar, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në pritje të përfundimit të procedurave të ekstradimit.
Markelian Hoti është vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti dhe një emër i njohur për autoritetet shqiptare.