Rriten eksportet, bien fitimet: Euro dhe dollar i dobët dëmtojnë sektorin e bimëve medicinale

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.02.2026, 15:27

Nga sherebela, trumza e dëllinja, te çaji i malit, rigoni, boronica dhe trëndafili i egër – eksportet e bimëve mjekësore dhe aromatike njohën rritje gjatë vitit 2025 krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e siguruara nga Instituti i Statistikave tregojnë se përgjatë vitit që lamë pas u eksportuan mbi 12.741 tonë bimë medicinale dhe aromatike, nga 12.419 tonë në vitin 2024. Kjo përkthehet në një rritje prej 322 tonësh në terma sasiorë.

Megjithatë, ndonëse sasia e eksportuar u rrit, vlera totale e eksporteve pësoi rënie. Për shkak të zhvlerësimit të valutave, eksportuesit arkëtuan rreth 600 mijë euro më pak se një vit më parë. Konkretisht, vlera e eksporteve zbriti në 49.5 milionë euro në vitin 2025, nga 50.1 milionë euro në vitin 2024.

Bëhet fjalë për bimë, pjesë të tyre apo fara që përdoren kryesisht në industrinë farmaceutike, parfumeri dhe në sektorë të tjerë të ngjashëm.

Sa i përket tregjeve kryesore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten destinacioni kryesor me mbi 3.800 tonë të eksportuara. Pas tyre renditen Gjermania me rreth 2.600 tonë dhe Turqia me afro 1.500 tonë. Pjesa tjetër e eksporteve shpërndahet në vende të ndryshme të Evropës, si Spanja, Polonia dhe Franca, si edhe në vendet e rajonit.

Sektori u përball me sfida gjatë vitit 2025. Përveç ndikimit të kursit të këmbimit, në pranverë pati pasiguri për shkak të tarifave të vendosura nga SHBA, të cilat më pas u pezulluan. Ndërkohë, industria vijon të përballet me mungesë financimi dhe me deficit të fuqisë punëtore, si pasojë e largimit të banorëve nga zonat rurale ku kultivohen këto bimë.

Aktualisht, nga buxheti i shtetit akordohet një subvencion prej 30 mijë lekësh për hektar për fermerët që kultivojnë bimë medicinale, por përfaqësues të sektorit kërkojnë mbështetje më të madhe për të ruajtur ritmin e rritjes dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit