Gati një muaj para ndeshjes historike të gjysmëfinales së play-off-it të Botërorit kundër Polonisë në Varshavë më 26 mars, vëmendja e të gjithë tifozëve shqiptarë është rikthyer tek kombëtarja. Shqipëria ndodhet në një pozicion historik, me shpresën gjallë për t’u kualifikuar në Botëror, dhe interesi fokusohet tek gjendja e lojtarëve para kësaj sfide të madhe.
Zv.kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj, në një intervistë për media, vlerëson ndeshjen ndaj Polonisë si një sfidë shumë të vështirë: “Do të luajmë në një stadium me atmosferë të zjarrtë. Polonia ka lojtarë me kualitet të lartë, por ne kemi treguar edhe më parë se mund t’i vëmë në vështirësi. Kjo është një ndeshje teke dhe duhet të shfrytëzojmë çdo rast, por gjithmonë ekziston mundësia që gjërat të mos shkojnë sipas planit. Për këtë arsye, duhet të përgatitemi maksimalisht.”
Hysaj ka folur edhe për gjendjen e legjionarëve dhe mungesën e minutave në klubet e tyre, duke theksuar se vetë nuk ka luajtur fare këtë sezon, përveç 9 minutave të vetme. “Edhe kur nuk luan tek klubi, stërvitja dhe përkushtimi te kombëtarja të mbajnë në formë. Eksperienca të ndihmon të kuptosh momentin dhe të menaxhosh energjitë gjatë ndeshjes,” – shprehet ai. Hysaj ka kaluar tërë karrierën në Serie A pas debutimit në Serie B me Empolin, por sezoni i fundit ka qenë i vështirë për aktivizimin e tij, duke e bërë të mendojë për ndryshime të mundshme në karrierë pas përfundimit të kontratës me Lazion. “Do të përpiqem të mbyll sezonin sa më mirë dhe më pas do të shikoj opsionet për të ardhmen. Ndoshta ka ardhur momenti të provoj një kampionat tjetër dhe të sfidoj veten në nivele të reja,” – përfundon Hysaj.