Nis Kreshma katolike, 40 ditë agjërim, lutje dhe pastrim i shpirtit dhe trupit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.02.2026, 13:48

Këtë të mërkurë, më 18 shkurt, besimtarët katolikë kanë nisur zyrtarisht Kreshmën, periudhën 40-ditore të përgatitjes shpirtërore për festën e Pashkëve. Kreshma hapet me të Mërkurën e Hirit, një ditë reflektimi, pendese dhe agjërimi, gjatë së cilës në meshë vendoset hiri në ballin e besimtarëve si simbol i përulësisë dhe kthimit te Zoti.

Kreshma latinisht Quadragesima, fjalë për fjalë 'Dyzetë' është kremtimi solemn fetar i krishterë në vitin liturgjik që përkujton 40 ditët që Jezusi kaloi duke agjëruar në shkretëtirë dhe duke duruar tundimin nga Satanai, sipas Ungjijve të Mateut, Markut dhe Lukës, përpara se të fillonte shërbimin e tij publik.

Gjatë kësaj kohe, që zgjat deri në prag të Pashkëve, besimtarët angazhohen në lutje, bamirësi dhe sakrifica personale. Kjo periudhë konsiderohet ndër më të rëndësishmet në kalendarin liturgjik, duke ftuar të krishterët në një proces pastrimi shpirtëror, vetëpërmbajtjeje dhe reflektimi të thellë mbi besimin dhe jetën e tyre.

Të gjithë të premteve gjatë Kreshmës, si edhe të Mërkurën e Hirit, besimtarët mbi 14 vjeç heqin dorë nga konsumimi i mishit. Në disa vende mund të zëvendësohet me një sakrificë tjetër të rëndësishme shpirtërore. Këshillohet shtim i lutjeve, pjesëmarrje më e shpeshtë në meshë, rrëfim dhe reflektim personal. Shumë besimtarë zgjedhin të heqin dorë nga zakone apo kënaqësi të caktuara si formë sakrifice.

Një element i rëndësishëm i Kreshmës është ndihma ndaj të varfërve dhe personave në nevojë, përmes donacioneve, veprave të mira dhe solidaritetit.

Kreshmë të mbarë e të bekuar për të gjithë besimtarët katolikë! ❤✝

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit