Greqia ndalon shezlonget në plazhet e mbrojtura! Në Shqipëri bëhen resorte

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 18.02.2026, 13:16

Autoritetet në Greqi kanë vendosur të ndalin përkohësisht çdo procedurë për dhënien e lejeve që lidhen me instalimin e kantinave dhe vendosjen e çadrave apo shezlongëve në plazhet e mbrojtura Pori dhe Italida, në zonën e Ano Koufonisi.

Vendimi u mor pas ndërhyrjes së menjëhershme të ministrit të Ekonomisë dhe Financave Kombëtare, Kyriakos Pierrakakis, i cili reagoi ndaj kërkesës së paraqitur nga Bashkia e Naxosit dhe Cikladeve të Vogla për ruajtjen e këtyre zonave me vlera të larta natyrore dhe ekosistem të ndjeshëm.

Pezullimi i procedurave të licencimit ka shmangur përkohësisht dhënien me koncesion të pjesëve të plazheve për aktivitete të organizuara tregtare. Vendimi është mirëpritur nga komuniteti lokal dhe autoritetet vendore, të cilët prej kohësh kishin ngritur shqetësime për rrezikun e ndryshimit të karakterit natyror të zonës.

Megjithatë, përfaqësuesit lokalë e konsiderojnë këtë vetëm një hap fillestar, duke kërkuar mbrojtje të përhershme për plazhet e Cikladeve të Vogla përmes shpalljes së tyre si zona të paprekshme, ku çdo aktivitet tregtar do të ndalohej.

Dokumenti zyrtar për pezullimin e procedurave i është dërguar shërbimeve përkatëse territoriale, pas kërkesës së depozituar nga autoritetet vendore në të njëjtën ditë.

Sipas raportimit të ProtoThema, komuniteti lokal e sheh këtë ndërhyrje si një precedent të mundshëm për mbrojtjen e plazheve në të gjithë vendin, veçanërisht atyre që janë pjesë e rrjetit të mbrojtur Natura 2000, ku përfshihen edhe Pori dhe Italida.

Në kërkesën zyrtare drejtuar ministrit, kryebashkiaku Dimitris Lianos shprehu kundërshtim të prerë ndaj çdo plani për vendosjen e strukturave tregtare në zonat ekologjikisht të ndjeshme të arkipelagut, përfshirë Shinousa, Donousa, Iraklia dhe Koufonisi.

Sipas tij, këto territore gëzojnë status mbrojtjeje si zona arkeologjike dhe pjesë e rrjetit Natura 2000, ndaj çdo ndërhyrje do të binte ndesh me karakterin natyror dhe peizazhin unik të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit