Protesta e banorëve të Rrjollit në Velipojë kundër ndërtimit të resortit luksoz “Blue Borgon”, pronë e oligarkut Bashkim Ulaj, është shndërruar në një betejë të hapur mes komunitetit dhe institucioneve të shtetit. Mbi 80 familje po kërkojnë drejtësi për tokën e tyre, e cila sipas tyre po grabitet, por ndërhyrja e policisë ka qenë e njëanshme, duke shoqëruar gjashtë protestues dhe dukshëm duke u dalë në krah investitorit.
Mes të shoqëruarve ishte edhe Luçiana Kokaj, vajza që prej vitesh lufton për të drejtat e banorëve. Veprimi i policisë është perceptuar nga komuniteti si mbrojtje e interesave të oligarkut, jo si garantues i ligjit dhe i rendit publik. Banorët denoncojnë mungesën e transparencës, konsultimeve dhe dëgjesave publike për një projekt që prek tokat e tyre dhe rrezikon një zonë të mbrojtur mjedisore.
Organizata PPNEA paralajmëron për rrezikun e betonizimit të dunave bregdetare, lagunave dhe korridoreve ekologjike ku strehohen qindra shpendë shtegtarë. Ndërkohë, Bashkim Ulaj ka përfituar statusin e investitorit strategjik dhe planifikon të ndërtojë 33 struktura akomodimi me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, duke e bërë qartë prioritet interesin e tij mbi të drejtat e komunitetit.