Një segment rreth 20 metra i rrugës së rikonstruktuar në fshatin Usojë, pjesë e zonës së Mallakastër, është shembur vetëm pak muaj pas inaugurimit. Rrëshqitja e asfaltit ka rrezikuar banesën e familjes Kamaj, pasi masa e dheut dhe asfaltit ka përfunduar në oborrin e shtëpisë së tyre. Fatmirësisht, në momentin e incidentit nuk ka pasur automjete në lëvizje dhe nuk janë raportuar dëme në njerëz apo banesa.
Rruga prej 1.5 kilometrash u rikonstruktua nga kompania Llazo Shpk, në kuadër të një kontrate me vlerë 65,553,600 lekë (rreth 655 mijë euro me TVSH), të shpallur nga Bashkia Mallakastër. Kompania, me seli në Bishqethëm të Lushnjes dhe në pronësi të Aldi dhe Anea Llazo, ishte skualifikuar në vitin 2024 për gjashtë muaj nga përfitimi i kontratave publike, pasi kishte mashtruar në të paktën katër tendera duke mos deklaruar një gjobë të vendosur nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e investimeve infrastrukturore që dështojnë brenda një kohe të shkurtër nga përfundimi i punimeve. Shembje, rrëshqitje dherash dhe amortizim i shpejtë i asfaltit janë evidentuar së fundmi në disa projekte të promovuara si investime strategjike, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve, kontrollin teknik dhe përgjegjësitë institucionale në menaxhimin e fondeve publike.
