Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë me një shqetësim që, dashur apo padashur, prek pothuajse çdo drejtues mjeti në rrugët e vendit. Sipas tij, disa praktika të ndjekura nga Policia Rrugore po krijojnë ndjesinë se qëllimi kryesor nuk është më parandalimi i aksidenteve, por ndëshkimi me çdo kusht.
Qytetari pretendon se në shumë segmente rrugore shfaqen efektivë civilë, të cilët raportojnë përmes radios edhe shkeljet më të vogla, duke çuar në vendosjen e gjobave ndaj shoferëve. Sipas tij, kjo metodë po perceptohet si një “gjueti” e vazhdueshme ndaj drejtuesve të mjeteve, ku çdo gabim minimal përkthehet menjëherë në penalizim financiar.
Një tjetër praktikë që ngre pikëpyetje është pozicionimi i patrullave në zona me fushëpamje të kufizuar, pas kthesave, pranë shkurreve apo pemëve, duke u bërë të padukshëm për drejtuesit e mjeteve deri në momentin e ndalimit. Qytetari pyet: a është kjo një mënyrë për të rritur sigurinë rrugore, apo një skemë për të kapur sa më shumë shkelës? Në shumë vende europiane, prania e policisë në rrugë shoqërohet me sinjalizime të dukshme, pikërisht për të frenuar shkeljen përpara se ajo të ndodhë, jo për ta ndëshkuar pasi ka ndodhur.
Qytetari ngre pyetjen a është e drejtë dhe normale kjo, në cilin vend të botës policët fshihen pas shkurreve të autostradës për të gjobitur shoferë? Po ju jeni dakord me manovra të tilla?