Prokuroria austriake ka ngritur akuza për terrorizëm ndaj një 21-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se planifikoi një sulm gjatë një prej koncerteve të turneut të Taylor Swift në Vjenë, në gusht 2024.
Si pasojë e kërcënimit, tre koncertet e planifikuara në kryeqytetin austriak u anuluan, pas paralajmërimeve të autoriteteve për rrezik të mundshëm sulmi.
Zëdhënësi i Prokurorisë Publike në Vjenë konfirmoi se i akuzuari, i identifikuar nga mediat si Beran A., ndodhet në paraburgim që prej arrestimit të tij në gusht 2024.
Sipas hetimeve, 21-vjeçari kishte siguruar në internet udhëzime për prodhimin e një bombe me eksplozivë me peroksid organik – substanca të përdorura shpesh nga grupi militant Shteti Islamik – dhe kishte arritur të prodhonte një sasi të vogël eksplozivi. Ai dyshohet gjithashtu se ka tentuar disa herë të blejë armë ilegalisht jashtë vendit për t’i futur në Austri.
Prokurorët thonë se i pandehuri ka qenë i përfshirë edhe në plane për sulme të tjera jashtë Austrisë, përfshirë në Dubai dhe Stamboll, por këto nuk u realizuan.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim deri në 20 vjet burg.
Pas anulimit të koncerteve, Swift u shpreh në rrjetet sociale se vendimi e kishte mbushur me frikë dhe ndjenjë faji, duke theksuar se mijëra fansa kishin planifikuar të merrnin pjesë në shfaqje.